Kryeministri Edi Rama, me anë të një statusi në Facebook, falenderoi qytetarët për mbajtjen e maskave edhe në rrugë ditën e sotme.
“SUPER REAGIM SOT ME MASKAT EDHE NË RRUGË. RROFSHI, RROFSHI, RROFSHI, JU DUA SHUMË”, shkroi kryeministri në rrjetin social.
“Njësoj si ju, kur vura maskën sot sa dola u mërzita pak, po më mirë taksirati i maskës se sa taksirati i mbylljes prapë në shtëpi me javë të tëra, prandaj faleminderit për mirëkuptimin dhe MBANI MASKËN SAPO DILNI NGA SHTËPIA”, shton Rama.
Por ndonëse janë të pajisur me maska, siç shihet edhe në fotot e siguruara nga LSA-ja sot në kryeqytet, qytetarët nuk e vendosin siç duhet.
Shumica prej tyre kanë “kyçur” gojën duke lënë hundën jashtë, siç duket vetëm për të mos marrë gjobën. Ka edhe nga ata që shfaqen pa maska fare.