Gjykata e Tiranës ka vendosur të dënojë Jorida Tabakun me 300 mijë lekë gjobë. Tabaku ishte akuzuar për shpifje nga kryeministri Edi Rama.
Sipas Gjykatës, Jorida Tabaku duhet të përgënjeshtrojë në faqen e saj në Facebook deklaratën e saj ku akuzon qeverinë për akte korruptive.
Në fillim të vitit 2019 qeveria hapi 17 gjyqe ndaj politikanëve të PD-së për shpifje.
Atë kohë kryeministri Rama deklaroi se me paratë që do të fitonte ndaj këtyre gjyqeve do të investohej në shkolla.
Një prej deputeteve të paditura atë kohë ishte edhe Jorida Tabaku për të cilën gjykata vendosi sot gjobën prej 300 mijë lekësh.
Ndërkohë një rishikim i tetëmbëdhjetë çështjeve gjyqësore që mbartin veprën penale të shpifjes dhe që janë shqyrtuar nga Gjykata e Lartë, tregon se në trembëdhjetë raste, përplasjet mes politikanëve të maxhorancës dhe atyre të opozitës kanë përfunduar gjithmonë me fitoren e maxhorancës.
Po ashtu Rama rezulton edhe politikani që ka ngritur më shumë akuza për shpifje ndaj kundërshtarëve të tij politikë.