Mbrëmjen e kësaj të premteje, në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj pyetjes së gazetarit Arian Çani, se përse nuk e shkarkon Presidentin Ilir Meta, meqë pretendon se po shkel në mënyrë të përsëritur Kushtetutën.
“Shkarkimi i Presidentit kërkon 2/3 e votave (të Kuvendit). Këtë logjikë po përdor Ilir Meta, ‘mua nuk më shkarkojnë dot dhe unë mund të bëj çfarë të dua”, tha Rama, duke shtuar se nuk do të futet në një konflikt me institucionin e Presidentit.
“Nëse Meta synon të drejtojë opozitën, apo nëse Meta ka vendosur ta kthejë opozitën në një çizme rezeve të opozitës, atëherë ai mund ta bëjë. Unë nuk do të hyj në një konflikt institucionesh dhe t’i mbajmë peng shqiptarët”.
Rama akuzoi Metën se po “sillet si të ishte kryetar i LSI-së, në ditët e veta më të këqija.”
“Ilir Meta është angazhuar në një krim ndaj diturisë, ndaj pastërtisë, ndaj një djali që nuk mund të meritojë njollosjen nga Ilir Meta, që po tentojnë ta përdorin atë si mish për top ndaj presidentit të Kosovës dhe kryeministrit të Shqipërisë”, tha Rama.
Rama shkoi deri aty sa këto lëvizje i quajti edhe “antikombëtare”.
Rama tha se “Meta e ka shkelur kushtetutën në mënyrë të përsëritur, si me Sandër Lleshajn ashtu edhe me ligjet që nuk ka të drejtë t’i kthejë në Kuvend. Bujar Nishani meriton sot respekt për shkak të Ilir Metës, sepse edhe pse ishte një president partiak nuk arriti aty.”