Mesazhi i parë: Këta janë vetëm pjesërisht të mitë! Madje, madje, janë shumica të “tepsisë”! Mesazhi i dytë: duke qenë se s’janë të gjithë të mitë, këta janë me patjetër problemi (sërish deduksion i teoremës së tepsisë)! Mesazhi i tretë: meqë ju shqiptarët ndjeheni keq me shtetin tuaj, ja ku i keni fajtorët!
Pas krerëve të hipotekave, Edi Rama ka drejtuar fshesën e tij drejt shefave të mjekësisë shqiptare. Një segment i shtetit gjithashtu mjaft i ndjeshëm për publikun e gjerë, i cili përplaset me sistemin shëndetësor në çdo ditë të vitit. Veçse këtu ka një “por” jo të vogël: ndryshe nga hipotekat, ku Rama refuzoi realisht të hedhë shikimin për katër vite (duke ja lënë në dorë totalisht LSI-së), mjekësia ka qenë një ndër betejat e tij më pasionante. Mbrojtja e koncesioneve, investimeve jo të vogla, subvencionet e barnave e ndryshimet që kanë pësuar spitalet e qendrat mjekësore në katër vitet që sapo u mbyllën, kanë qenë të gjitha një ndër tezat bazë të polemikës publike të kryeministrit, me oponentët e vet, në fushën e mjekësisë.
Megjithatë Edi Rama “i dytë” po na thotë përditë me insistim se ka vendosur të ndërrojë lëkurë në mandatin e ri. Duke përfshirë goditjen edhe të atyre sinoreve që deri dje i ka mbrojtur me fanatizëm. Dhe duhet thënë se kryeministri po e paketon këtë nisëm për korrigjimin e timonit të punëve, me të njëjtën materie elektorale me të cilën fitoi votat.
Çfarë po shohim këto orë është një lojë e madhe e kryeministrit me shqisat e publikut, e cila ngjan de facto si një zgjatim i fushatës elektorale që sapo u mbyll. Një eksperiment psiko-social identik me atë të 25 qershorit, i njëjti numër iluzioni i denjë për t’u shënuar në manualet politike, me anë të të cilit ai po teston se cilët mund të jenë kufinjtë më të skajshëm të strategjisë së “tepsisë”, me të cilën fitoi i vetëm zgjedhjet e fundit.
Inercia që ka krijuar ajo votë masive, po shfrytëzohet edhe këto orë nga Rama, për të dëshmuar me mënyrën e tij kontroverse dhe provokative, se ai do të jetë krejt i ndryshëm nga kryeministri i katër viteve të fundit dhe se do të fillojë ta shkundë shtetin, ende pa hyrë në zyrë me mandatin e dytë në dorë. E akuzojnë se po sharron degën ku është ulur? Aq i bën. I thonë se është duke goditur shërbëtorët, në vend që të godasë zotërinjtë? Sërish aq i bën. Rama e ndjen se në këtë vakuum veror mund ta vazhdojë i qetë eksperimentin e tij elektoral. E di se opozita vazhdon të mbetet e izoluar dhe e dobët në guackën e saj, kurse LSI duhet të tresë realitetin e ri shokues ku sapo ka hyrë.
Ndaj kryeministri ka luksin të luftojë edhe kundër “shtetit të drejtorëve”, më parë se kundër shtetit të deputetëve e qeveritarëve. Një lëvizje që prish çdo rend dhe logjikë normale gjërash. Po a nuk ishte e tillë edhe vetë fitorja vetmitare e 25 qershorit?! Aq më tepër që ai ka ende një alibi të madhe në xhep: po heq të vjetrit, pa na zbuluar sesa të saktë do të jenë pasardhësit e rinj që do të ulen në ato poste. Për momentin nuk mund të shajmë ata që nuk kanë ende emra. Më vonë është tjetër gjë. Nëse sërish hipotekat e spitalet, apo edhe katet e tjera të administratës, do të vegjetojnë në të njëjtin llum si më parë, atëhere Rama nuk do të mund të fshihet më. Por për momentin, ai ka ende pak kohë në dispozicion…(Javanews)