Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje të ftuarve nga shtete të huaja të kujdesen që të mos i vjedhin në faturat e hoteleve ndërkombëtare në Tiranë.
Rama foli para të ftuarve nga shtete të ndryshme që po marrin pjesë në Konferencën e 41-të, Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë, që po zhvillohet në Tiranë.
Pasi tregoi historinë e një të ftuari të rëndësishëm, i cili pasi fillimisht nuk pranoi të dilte nga aeroporti i Rinasit pa qenë nën shoqërinë e personave të armatosur rëndë, shikoi civilizim në rrugët e Tiranës dhe u habit për hendekun e madh që ekzistonte mes perceptimit dhe realitetit në vendin tonë, kreu i qeverisë kishte edhe një këshillë për të ftuarit.
“Thjesht një këshillë. I vetmi vend ose e vetmja mënyrë se si mund të të vjedhin në Tiranë një të huaj, është vetëm në faturat e hoteleve ndërkombëtare. Dhe kjo është vërtetë shumë serioze, sepse ju tarifojnë siç as nuk ju ka shkuar mendja, dhe pastaj fshihen me këtë stereotipin në Shqipëri.”
“Shtëpia e shqiptarit i përket mikut dhe Zotit, e nëse nuk vjen Zoti atëherë miku është Zoti. Kështu që ju jeni të gjithë perëndi, derisa të merrni avionin, sepse jeni të ftuarit tanë. E vetmja gjë që dëshiroj t’ju them është kujdes me celularin në hotele ndërkombëtare, sepse dhe tarifat e telefonisë janë të larta”, tha Rama.