Trajneri i Shqipërisë, Edi Reja, ka folur për mediet italiane në lidhje me aventurën e tij me Shqipërinë, por kthen në memorie dhe vitet e kaluara te Napoli. Tekniku ynë ka kaluar momente fantastike, ndoshta më të mirët në karrierë me klubin napolitan.
Ai foli fillimisht për ofertë e papritur dhe pranimin e saj për të marrë stolin e Shqipërisë. “Të drejtoj ekipe më bën të ndihem i ri. Mendoj se është mirë dhe për shëndetin, më jep shumë kënaqësi. Propozimi i papritur i Shqipërisë ishte dhe një vlerësim për ata pak gjëra që kam bërë. Shpresoj të jem në gjendje ta kthej me rezultate”, – shprehet fillimisht Reja.
Biseda kryesore u ndal te Napoli dhe kujtimet e tij, apo dhe çështjen Insigne që ka shpërthyer së fundmi. “Kam kaluar momente dhe vite fantastike në Napoli. Sa herë kthehem është festë. Takoj miqtë e mi, pasi kam lënë shumë atje. Kampionati? Mendoj se të garosh me Juventusin nuk është aspak e lehtë dhe të dalësh i dyti. Ekonomikisht ata janë të fortë dhe thyejnë barrierat. Projekti i De Laurentisit ka funksionuar, pasi që nga viti 2005 që e ka marrë klubin ka parë vetëm suksese dhe ngritje”.
“Zgjedhja e Ancelottit në krye të stolit është e duhura. Ai është një trajner që mund të fitojë dhe në mënyra të tjera jo thjesht duke qenë më i fortë ekonomikisht. Insigne? Nuk diskutohet. Shtatshkurtri ka shumë cilësi, ka teknikë, është i talentuar dhe mund të bëjë dallimin në çdo moment”, – shton Reja.
Nuk mund të mungonte pyetja në lidhje me Hysajn në këtë bisedë për Napolin. “I zoti, shumë i mirë. Djalë serioz, i sigurt, inteligjent në aspektin taktik dhe të jep ata balanca që të shërbejnë në mbrojtje dhe që janë vendimtare”, – përfundoi Reja për “Ilnapolionline”.