Nga qyteti i Korçës, kandidatja për kryetare e Partisë Demokratike, Edith Harxhi përsëriti edhe njëherë akuzën e rëndë se Lulzim Basha nuk shkon dot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi i është refuzuar viza nga autoritetet e këtij vendi.
Harxhi deklaron se ka të dhëna nga burime diplomatike për këtë çështje dhe shton se në 13 qershor, kur mbahen dhe zgjedhjet për kreun e ri të PD, do të ketë surpriza.
“Burime dhe informacione të ndryshme duke përfshirë edhe ato diplomatike. Këtë nuk e di, nëse PD do të vazhdojë në një spirale të tillë politike siç është edhe tani me kryetar i cili ka 4 humbje dhe 3 fitore si kryetar humbës. Por gjithsesi unë do të vazhdoj punën time brenda PD-së për ta rikthyer sërish në pushtet, në një kohë sa të mëparshme. Do të qëndroj brenda strukturave të partisë dhe do të vazhdoj me propozimet e mia, por besoj se kjo nuk do të ndodhi pasi në datën 13 qershor do të ketë surpriza shumë të këndshme”, tha Harxhi.