I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në News 24, Eduard Selami që kandidon sërish për kreun e Partisë Demokratike ka folur për marrëdhëniet me ish-kryeministrin Sali Berisha, ndërsa ka treguar edhe brengën e tij më të madhe.
“Unë nuk jam emëruar nga Sali Berisha kryetar partie, ne kemi bërë zgjedhje të lira. Edhe kur është zgjedhur Azem Hajdari, edhe kur është zgjedhur Sali Berisha ka qenë votim i fshehtë, pra fillimet kështu kanë qenë. Në vitin 1992 edhe sikur Berisha të bënte propagandë nuk do të ndryshonte rezultati dhe unë u zgjodha, por a ka votuar atëherë Berisha për mua, unë këtë se di”,- tha ai.
Duke folur për Berishën, Selami tregoi dhe brengën e tij më të madhe, kur u pyet pse ia mbylli Berisha derën e PD-së.
“I sfidova autoritetin e tij, se kuptova që u kthye nga një lider demokrat, në një lider autoritar. Kjo është brenga ime. Pas referendumit nis çarja jonë. dështimi i referendumit mendova se do ishte sinjal për Berishën”, tregoi Selami.
Ai tha ndër të tjera se ia njihte Berishës meritat në PD: “Unë ia njoh meritat Berishës, ai i dha një dimension tjetër lëvizjes së dhjetorit, por besoj se ju e mbivlerësoni dhe ngarkoni më shumë se sa duhet zotit Berisha”.