Ilir Xhepaj, 33 vjeç, Elson Alija 31 vjeç dhe Klaudio Perkola 21 vjeç janë tre bashkëpunëtorët e Eduard Lamajt që morën pjesë në ekzekutimin e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit në Laç.
Ka qenë vet, autori kryesor i vrasjes Eduard Lamaj, ai që ka rrëfyer para uniformave blu emrat e tre shokëve të tij një ditë pas arrestimit në klinikën ku po mjekohej për shkak të plagës së plumbit në këmbë.
Pas identifikimit policia ka shpallur në kërkim, tre bashkëpunëtorët, ndërsa ka ushtruar kontrolle në banesat e tyre. Po ashtu janë sekuestruar, mjeti tip Wolkswagen, që u përdor nga ekzekutorët gjatë atentatit si dhe një mjet Land Rover, me të cilin mendohet se Lamaj u transportua në klinikën private nga familjarët pas plagosjes.
30-vjeçari u arrestua të martën në klinikën private “AmaVita” në zonën e qytet studentit. Familjarët e tij kishin rëndë dakord me mjekun ortoped nga Lezha, Viktor Marku dhe kirurgun e spitalit të traumës, Besnik Lame që ta operonin në mënyrë të fshehtë, pasi plaga e marrë në këmbë gjatë atentatit i ishte infektuar.
Mjekët, të dy të arrestuar, do të merrnin 10 mijë euro për të bërë ndërhyrjen.
Eduard Lamaj mbeti i plagosur në këmbë në 30 maj gjatë ekzekutimit të Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit në një hotel në Laç. Sipas dëshmisë të dhënë në polici, 30-vjeçari ka rrëfyer se shkoi në hotel për ti shkatërruar biznesin vëllai të Bujar Likës, pasi ky i fundit i kishte borxh një sasi parash.
Por gjatë tentativës, kanë qenë viktimat ata që, sipas tij, e qëlluar të parët, duke e detyruar të kundërpërgjigjej zjarrit duke i ekzekutuar. Por pavarësisht pretendimeve të autorit pista kryesore, në të cilën janë shtrire hetimet është ajo që e klasifikon Lamajn si pjesë të një grupi kriminal të strukturuar të vrasësve me pagesë.