Efekti “Conte” i ka shtuar popullaritetin lëvizjes 5 yjet në Itali, që deri vonë çalonte fort në sondazhe.
Nga 17,4% të preferencave që shënonte në fillimin e krizës, forca politike e Luigi di Maios tani ka mbërritur në 24,2%, dhe Partia Demokratike, me të cilën farkëtoi pas negociatash të zgjatura marrëveshjen e koalicionit qeverisës, ka përmirësim edhe ajo.
Lega e Matteo Salvinit, ndërkohë është në rënie, edhe pse vazhdon të mbetet mbi nivelin e 30 përqindëshit. Giuseppe Conte pranoi dy ditë më parë një mandat të ri për tentuar krijimin e një qeverie mes lëvizjes populiste 5 Yjet dhe demokratëve te qendrës së majtë.
Qëllimi i përbashkët duket ishte shmangia e një gllabërimi i pushtetit nga lideri i krahut të djathtë, Salvini. Conte e bëri të qartë pas takimit me presidentin Sergio Mattarella se do të tentojë të rivendosë sa më shpejt stabilitetin politik pas krizës shkaktuar nga loja e pushtetit të ministrit të brendshëm që rrëzoi qeverinë populiste 14-mujore.
“Është një emërim të cilin e pranova me rezerva”, deklaroi Conte që ishte detyruar jepte dorëheqjen më 8 gusht pasi Salvini tërhoqi mbështetjen për qeverinë e tij.
Lëvizja e udhëheqësit të Legës krijoi një paqëndrueshmëri politike e cila e ktheu edhe një herë vëmendjen e investitorëve në Itali, duke rritur kostot e huamarrjes në borxhin e saj që vazhdon të mbetet i lartë. Vendi përballet gjithashtu me një afat kritik në vjeshtë për hartimin e një buxheti për Bashkimin Europian, me mundësinë e ngritjes së taksës së vlerës së shtuar për të mbuluar mangësitë.