Një ekspozitë e titulluar “Vështrim historik etnokulturor i Pellzagjisë-Epiri-Thesproti-Çamëri”, ka sjell reagime nga Greqia.
E përditshmja greke Protothema shkruan se autoritetet në Greqi e quajnë provokim mbështetjen që i ka dhënë Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ekspozitës të iniciuar nga Akademia “Rrënjët shqiptare” dhe fondacioni “Çamëria Hasan Tahsini”.
Kjo media bën me dije se pas prezantimit të fotografive për çamët ka pasur një reagim nga ambasada greke në Tiranë.
Protothema duke iu referuar burimeve diplomatike në ambasadë, shkruan se ambasada greke në Tiranë i ka kërkuar shpjegime presidentit.
Po ashtu kjo media ka publikuar dhe disa foto ku shihet Presidenti Ilir Meta dhe stafi i tij bashkë me organizatorët e ekspozitës duke parë fotografitë dhe hartat për Çamërinë që janë të vendosura në murin e jashtëm të presidencës.