Kryesore Ekstradimi i Gulenit? Zyrtari amerikan mohon pretendimet për paktin Trump-Erdogan

Ekstradimi i Gulenit? Zyrtari amerikan mohon pretendimet për paktin Trump-Erdogan

Shtëpia e Bardhë i mohoi pretendimet e Turqisë se presidenti Donald Trump po shqyrton mundësinë e ekstradimit të klerikut mysliman, Fethullah Gulen, që jeton në Shtetet e Bashkuara.

Një zyrtar i lartë i saj theksoi se, gjatë takimit me presidentin turk Erdogan, në samitin ekonomik të G20-s në Buenos Aires, “Trump nuk bëri asnjë premtim të tillë”.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu pati pohuar më herët në rrjetin televiziv CNBC se, Trump i kishte komunikuar Erdoganit që Uashingtoni është duke punuar për ekstradimin e Gulenit dhe “njerëzve të tjerë”.

Çavusoglu u shpreh madje se ka parë një hetim “të besueshëm” të FBI-së, që tregon sesi organizata gylentinste “FETO” i shmanget pagimit të taksave.

Erdogan deklaroi javën e kaluar se qeveria e tij do të fillojë të vërë në shënjestër ata që financojnë operacionet e Gulenit jashtë kufijve.