Ministri i Drejtësisë së Italisë, Andrea Orlando ka reaguar në lidhje me ekstradimin e financierit të Habilajve, Nazer Seitit.
Ai falënderon autoritetet shqiptare për dorëzimin e tij dhe shprehet se ekstradimi respekton Konventën europiane të ekstradimit dhe marrëveshjen dypalëshe mes Tiranës dhe Romës.
“Falenderoj autoritetet shqiptare të cilat ju përgjigjen menjëherë, kërkesës për ekstradim të shtetasit shqiptar SEITI Nazer, i kërkuar nga autoritetet gjyqësore italiane në kuadër të një hetimi të rëndësishëm ndaj një organizate kriminale që vepronte në fushën e narkotrafikut, në linjat italo-shqiptare.
Dorëzimi i tij respekton në mënyrë koherente angazhimet ndërkombëtare që detyrojnë autoritetet italiane dhe shqiptare, sipas Konventës europiane të ekstradimit të 13.12.1957 dhe Marrëveshjes dypalëshe të firmosur në Tiranë me 3.12.2007.
Kryerja e dorëzimit, i mundëson autoriteteve italiane ushtrimin e plotë të hetimit dhe të jurisdiksionit mbi faktet e rënda që përbëjnë objektin e hetimit të Prokurorisë së Catania-s, pa paragjykuar zhvillimet e procedimit që paralelisht po kryhet nga pala shqiptare, e cila madje mund të përfitojë nga bashkëpunimi i autoriteteve italiane, në bazë të konventave për ndihmën gjyqësore, që janë në fuqi mes dy vendeve tona”, shprehet Orlando.