Aktualitet Ekstradohet Hektor Mahmutaj, i cilësuar si shqiptari më i kërkuar në Britaninë...

Ekstradohet Hektor Mahmutaj, i cilësuar si shqiptari më i kërkuar në Britaninë e Madhe

I cilësuar si një nga shqiptarët më të kërkuar në Britaninë e Madhe, Hektor Mahmutaj është ekstraduar në vendin tonë, ku do të vuajë dënimin me 25 vite burg, për vrasjen e Gentjan Jahajt në fshatin Bejar të Mallakastrës.

Por më shumë se për krimin e tij në Shqipëri, 45-vjeçari është i njohur për debatin që shkaktoi në Angli në vitin 2018-të dhe 2019-të. Ai u arrestua atje, pasi iu gjet një armë dhe për këtë u dënua me 2 vite e gjysmë burg.

Gjatë hetimeve, autoritetet në Angli zbuluan se Hektor Mahmutaj kërkohej për vrasje në Shqipëri. Ai përdorte 13 emra të ndryshëm për t’i shpëtuar arrestimit për vrasje në vendin tonë. Por gjykata britanike vendosi ta lironin me kusht, pasi përfundoi dënimin dhe kur policia shkoi për ta arrestuar sërish, ai ishte zhdukur. Mediat britanike akuzuan autoritetet se lanë të lirë një nga vrasësit më të kërkuar shqiptar.

1 vit më vonë policia e arrestoi dhe pavarësisht se ai ka mohuar përfshirjen në vrasjen e 1997-së, pretendimi i tij nuk u mor parasysh.

Mahmutaj u dënua në vendin tonë pasi qëlloi me armë drejt makinës që udhëtonte Gentjan Jahaj në vitin 1997. Jahaj mbeti i vrarë, ndërsa 3 personat që ishin me të, i shpëtuan plumbave.

Hektor Mahmutaj u soll në Tiranë i prangosur dhe tashmë e pret një dënim prej 25 vitesh burg.