Prokuroria ka dyshime të forta se 3 vëllezërit Bilali, më i fundit i tyre i vrarë pak ditë më parë, janë viktima të një zinxhiri vrasjesh të nisura 27 vite më parë për shkak të një borxhi.
Këta të fundit, sipas informacioneve të referuara, dyshohet se kanë mbështetur gjatë këtij konflikti mes dy fiseve, familjen Ymeri. Për këtë shkak, sipas dyshimeve ende të paprovuara të policisë, por që nuk iu vendos asnjëherë emër, u vranë brenda një dekade dy vëllezërit Bujar dhe Leonard Bilali.
Të dyja këto krime vazhdojnë të jenë pa autorë. Edhe për ekzekutimin në afërsi të shtëpisë të vëllait të tretë, Arben Bilali, është ngritur pista e hakmarrjes, por nuk përjashtohen edhe dyshimet për ngjarje të tjera.
Pas pyetjes së Albert Xhabaftit, që është vëllai i Baki Xhabaftit, vrarë pak kohë më parë, policia ka vazhduar me marrjen në pyetje të 10 personave, kryesisht dëshmitarë okularë. Dy nga dëshmitarët, që janë edhe shokë me viktimën, kanë treguar lëvizjet e dyshimta të disa makinave, e të një motori, sa herë kishin marrë si pasagjer 50-vjeçarin.
I pyetur nga hetuesit, Albert Xhabafti mohoi të ketë konflikte me familjen Bilali, ndërsa për ditën e krimit, ai kishte si alibi drekën me miqtë e tij, një alibi e vërtetuar nga kamerat e sigurisë.