Vrasja nga amerikanët e gjeneralit iranian Qassem Soleimani është një akt i “terrorizmit ndërkombëtar”, tha ministri i Jashtëm iranian, ndërsa shumica e shteteve kanë bërë thirrje për të ulur tensionet.
“Është një përshkallëzim tejet i rrezikshëm, i marrë…”, tha Mohamad Javad Zarif për televizionin shtetëror.
Parlamenti në Irak do të zhvillojë një seancë të jashtëzakonshme të dielën për të diskutuar sulmin, duke e gjykuar si një “shkelje e sovranitetit” të vendit, tha kryeministri irakian, Adel Abdul Mahdi.
“Ne ritheksojmë që shndërrimi, veçanërisht i Irakut, në një zonë konflikti do të dëmtojë paqen dhe sigurinë si të Irakut ashtu edhe të rajonit tonë”, tha nga ana tjetër Ministria e Jashtme turke.
Ministria e Jashtme egjiptiane bëri thirrje për “pezullimin e menjëhershëm të të gjitha ndërhyrjeve rajonale në çështjet e vendeve arabe dhe popujve që kanë çuar në mosmarrëveshje dhe tensione inflamatore”.
Siria, një aleat i ngushtë i Teheranit, ka dënuar vrasjen duke e quajtur atë “agresion kriminal amerikan” dhe “përshkallëzim të rrezikshëm” në rajon. “Agresioni kriminal në stilin e bandave riafirmon përgjegjësinë e Amerikës për paqëndrueshmërinë në Irakun vëllazëror”, raporton SANA.
Arabia Saudite po bën thirrje për “kufizim për të shmangur çdo gjë që mund të përkeqësojë situatën me pasoja të pakontrollueshme pas vrasjes së një gjenerali të fuqishëm iranian në Irak”, tha ministria e jashtme.
Riadi, një aleat i Shteteve të Bashkuara dhe një kundërshtar kryesor i Iranit në rajon, akuzoi militantët për përshkallëzimin e dhunës në të njëjtën deklaratë.
Emiratet e Bashkuara Arabe, afër amerikanëve dhe sauditëve, gjithashtu bënë thirrje për “mençuri dhe vetëpërmbajtje”.