Aktualitet Ekzekutimi i Xhelal Reçit në Laç, kush ishte ish-polici: Djalit iu bë...

Ekzekutimi i Xhelal Reçit në Laç, kush ishte ish-polici: Djalit iu bë atentat një vit më parë

Krimi tronditi sërish mëngjesin e sotëm vendin. Ish-polici Xhelal Reçi mbeti viktimë, pasi u qëllua me armë pranë biznesit të tij në Laç. 60-vjeçari është babai i Besnik Reçit, të cilit iu bë atentat një vit më parë.

Ngjarja ndodhi në gusht të vitit 2020 në mes të Shëngjinit. Ai ishte duke udhëtuar në rrugën Lezhë-Shëngjin bashkë me dy fëmijët e mitur dhe bashkëshorten, kur dy persona të armatosur me motor, e ndoqën dhe tentuan ta qëllonin me plumba. Autorët qëlluan drejt makinës së Reçit, por fatmirësisht plumbat nuk kapën as të dhe as familjen.

Si ndodhi ngjarja sot

Xhelal Reçit iu bë atentat mëngjesin e sotëm rreth orës 07:23, pranë bizneseve të tij, pasi njihej si pronar i një butiku dhe i një bar kafeje në Laç. 60-vjeçari më herët ka punuar si polic.

Uniformat blu kanë njoftuar se në ndihmë të policisë lokale janë nisur grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkaq në lidhje me këtë ngjarje mësohet se një makinë e cila dyshohet të jetë e autorëve është gjetur e djegur në afërsi të lumit.