Bota Në burg 72 vjeç, historia e elektricistit të të pasurve që grabiste...

Në burg 72 vjeç, historia e elektricistit të të pasurve që grabiste banka në Uashington

Për dekada, James Wersick ishte një nga elektricistët më të kërkuar në periferi të Uashingtonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por me kalimin e moshës dhe pandemisë ai u gjend pa punë, kështu nisi duke grabitur banka pas moshës 60-vjeçare, dhe për një kohë të gjatë ia hodhi mirë

Për dekada, James Wersick ishte një nga elektricistët më të vlerësuar dhe më të kërkuar në periferi të Uashingtonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pasi kishte hyrë në një program praktike sapo mbaroi shkollën e mesme, në fund të viteve ‘60, në një kohë të shkurtër kishte marrë licencën e elektricistit dhe pak nga pak kishte ndërtuar perandorinë e tij të vogël, duke punuar për një kohë të gjatë në shtëpitë e të pasurve midis qyteteve Potomac dhe Bethesda, në Maryland.

“Vetëm në Potomac do të kem punuar në të paktën 200 shtëpi, më linin vetëm, ndonjëherë edhe me fëmijët e tyre”, – i tha ai gjyqtarit që e dënoi me pesë vjet burg për grabitje. Po, sepse kur mbushi 60 vjeç dhe puna filloi të mbaronte, Wersick filloi të grabiste banka për të mbijetuar, gjashtë të tilla në mbi tetë vjet, për një vlerë totale prej 52.334 dollarë.

“Në një moment, telefoni thjesht pushoi së rëni”, u përpoq të justifikohej në gjykatë me gjyqtarin David Boynton. “Shpesh më kapte dëshpërimi”. Në nevojë për para, si për të mbijetuar, ashtu dhe për t’u kuruar nga disa sëmundje kronike, në vitin 2012, Wersick synoi bankën e tij të parë në Potomac, dega “M&T” në “River Road”, në një kryqëzim të ngarkuar të autostradës që të çon në lagjen “Georgetown” në kryeqytet.

Grabitësi-serial i bankave në shtetin e Uashingtonit në SHBA, James Wersick, u arrestua në 4 gusht 2020

Ai hyri i veshur me një xhaketë me kapuç të bardhë, një maskë fytyre, një çadër dhe një armë në dorë dhe doli prej andej me 3.444 dollarë. “Unë bëra vetëm këtë gjë dhe arrita t’ia dilja për një kohë“, i tha ai detektivit Jose Guzman gjatë marrjes në pyetje.

Disa vjet më vonë, në fillim të vitit 2014, ai goditi një degë të “Capital One” në Bethesda, duke marrë 22.150 dollarë dhe as një vit më vonë ai grabiti një bankë tjetër “M&T” në Kensington, këtë herë duke veshur një kapuç të zi dhe duke marrë një shumë dollarësh prej 12.769.

Paratë, argumenton ai, u përdorën vetëm për të paguar faturat dhe për të drejtuar biznesin e tij. “Jo se është një justifikim i madh“, pranoi ai, “por unë nuk isha duke kërkuar famë apo duke planifikuar të dilja në pension“.

Ai bëri dy grabitje të tjera, pastaj për katër vjet qëndroi larg bankave. Vazhdoi të punonte, por ndërkohë mosha kalonte dhe gjendja e tij shëndetësore – diabeti, koliti ulceroz, dhimbja e gjunjëve – u përkeqësuan.

Një ditë, ndërsa përpiqej të arrinte një tra në papafingo të një shtëpie në Potomac ndërsa punonte, ai u rrëzua dhe theu dyshemenë, një incident që shkatërroi reputacionin e tij.

“Nëse ka një gjë për të ditur për njerëzit e Potomac-ut“, tha ai në gjykatë, “është se për sa kohë që gjithçka shkon mirë, ata janë njerëz të mirë. Por nëse ndodh diçka, ata nuk falin, nuk janë shumë të sjellshëm”.

Sikur të mos mjaftonte shëndeti i pasigurt dhe kriza e punës, atëherë erdhi pandemia, e cila e la të thatë dhe e shtyu të provonte një goditje të fundit në bankë.

Në mëngjesin e 4 gushtit 2020, Wersick u zgjua i uritur – ai sapo kishte ngrënë një sanduiç me ton një ditë më parë – dhe me tre javë qira të vonuar ende për t’u paguar, por duheshin edhe 15 ditë që në shtëpi t’i vinte çeku i asistencës sociale, ndaj i duheshin dollarë për shpenzime të ndryshme.

Kështu, me fytyrën e mbuluar me një maskë kirurgjikale dhe një armë në dorë, ai hyri në një degë të bankës “NCP” në Potomac, gjithashtu në “River Road”, një minutë në këmbë nga “M&T”, ku karriera e tij si grabitës kishte filluar tetë vjet më parë.

Ai nuk kishte kohë të dilte me 7.717 dollarë në një çantë, kur polici lokal, Mark Gribble e ndaloi në trotuar përballë institucionit, duke e arrestuar. “Unë jam klient“, u përpoq të thoshte, por mustaqet e bardha të trasha false dhe mosha e madhe nuk mjaftuan për ta shfajësuar: përveç çantës plot me kartëmonedha, kishte një armë zjarri dhe tre thika.

Ishte grabitja e gjashtë në tetë vjet, e para që gaboi: Wersick i pranoi të gjitha, por, pasi bëri një marrëveshje me agjentët, ai u deklarua fajtor vetëm për këtë të fundit, për të cilën u dënua.

“Nuk është se kam qenë i padëmshëm, kam kërcënuar njerëzit”, pranoi ai gjatë marrjes në pyetje, duke treguar se kishte përdorur gjithmonë një pistoletë të vjetër gjermane “Walther PP”, një pistoletë gjysmë automatike të kalibrit 6.35 të ndryshkur që as nuk funksiononte.

Disa javë më parë, në moshën 72-vjeçare, Wersick u dënua dhe hyri në burg: sot ai është një nga të burgosurit më të vjetër në Maryland – vetëm 230 nga 17.000 personat e burgosur në shtet janë mbi 70 vjeç – dhe ai i premtoi gjykatësit që do t’iu mësojë zanatin e tij të elektricistit të dënuarve më të rinj të mbyllur me të në burgun e kontesë Montgomery, për t’i bindur ata të qëndrojnë jashtë rrugës dhe veseve të këqija.