Vritet me armë zjarri në qendër të qytetit Armando Gjini 48-vjeç, i njohur si pjesë e grupit të Met Kananit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30 pranë katedrales së qytetit.
Viktima është qëlluar brenda automjetit të tij ku ka qenë bashkë me dy fëmijët e mitur. Bashkë me ta ka qenë edhe bashkëshortja e Gjinit e cila ka zbritur nga automjeti për t’u ndalur në një market. Autorët kanë shfrytëzuar këtë moment dhe janë afruar pranë automjetit duke e qëlluar për ta lënë të vdekur.
Policia njofton se janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit. Viktima njihej edhe me emrin Tonin Gjini.
Tre muaj më parë Armando Gjinit i vendosën një sasi eksplozivi në sediljen e automjetit. Ai diktoi pakon e eksplozivit pasi dërgoi fëmijët në shkollë duke njoftuar menjëherë forcat xheniere. Bomba shpërtheu menjëherë sapo u prek në tentativë nga forcat xheniere për ta nxjerrë pakon nga makina.
Gjini u arrestua vitin e kaluar në datë 12 maj si pjesë e grupit të baronit të drogës, Met Kanani. Vitin e kaluar në kuadër të operacionit ‘Precizioni’ Gjini u arrestua së bashku me 37 persona të tjerë, ndërsa u sekuestruan 8 ton drogë. Ushtria e Met Kananit shkëmbente kanabisin nga Shqipëria me heroinë nga Turqia. Por 4 ditë pas arrestimit Gjini u lirua nga burg, ndërsa hetimet e para janë pikërisht në këtë pistë.