Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Tepelenës.
Sipas policisë, ka mbetur i vrarë Çajup Selimi 52 vjeç. Selimi u ekzekutua pranë pallatit ku banonte në qendër të qytetit në lagjen “15 Shtatori”.
52-vjeçari fillimisht mbeti i plagosur dhe u dërgua në Spitalin e Gjirokastrës, por nuk mbijetoi për shkak të plagëve të marra.
Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policore. Në ndihmë të Policisë së Tepelenës kanë shkuar edhe forcat “Shqiponja” të Drejtorisë së Policisë Gjirokastër.
Nuk ka ende informacion për rrethanat dhe autorin/ët e vrasjes.
Mësohet se viktima ka patur një biznes me materiale ndërtimi tek “Agjencia” e këtij qyteti.
Në korrik të 2018, Çajup Selimi është paraqitur në Spitalin e Gjirokastrës si pasojë e plagëve të marra, pasi është goditur me mjete të forta nga dy persona në qendër të qytetit të Tepelenës. Selimi tregonte se e kishin sulmuar me leva hekuri dhe e kishin kërcënuar me thika e goditur me grushta, për arsye të paqarta.