Moska ka njoftuar se do të dëbojë dy diplomatë gjermanë, në përgjigje të vendimit të Gjermanisë në fillim të dhjetorit për të kthyer dy punonjës të ambasadës ruse në vendin e tyre pas vrasjes së një gjeorgjiani me origjinë çeçene në kryeqytetin gjerman.
Ministria e Jashtme ruse e thirri të enjten ambasadorin gjerman Geza Andreas von Geyr për ta informuar atë se “dy bashkëpunëtorë të ambasadës gjermane janë shpallur persona të padëshiruar dhe kanë shtatë ditë kohë për të lënë Rusinë”.
Ambasadori nuk pranoi të komentojë para gazetarëve pas largimit nga ministria ruse, duke thënë: “Ju do të gjeni gjithçka përmes kanaleve zyrtare”.
Pritej që Rusia të reagonte në të njëjtën mënyrë pasi Gjermania dëboi dy diplomatët rusë javën e kaluar për akuzat se shteti rus ishte pas vrasjes së 23 gushtit të një gjeorgjiani 40-vjeçar me origjinë çeçene në një park qendror të Berlinit.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme ruse shton se Moska po dëbon diplomatët gjermanë në shenjë proteste ndaj vendimit të pabazuar të Gjermanisë për të dëbuar diplomatët rusë.
Gjeorgjiani besohet se ka luftuar në anën e rebelëve çeçenë kundër shtetit rus.
Në një konferencë shtypi në fillim të kësaj jave, Presidenti rus Vladimir Putin e përshkroi viktimën si një “bandit”.