Gazetari Enver Robelli shkruan se Elvana Gjata është duke u sulmuar egërsisht për këngën e saj në Festivalin e 58 të RTSH-së, vetëm pse teksti ishte gegënisht.
“Një këngëtare shqiptare shkruan një tekst. E shkruan në gegënisht, ashtu siç e ndjen ajo gegënishtën, pa qenë njohëse e çdo detaji të këtij dialekti që e flasin rreth dy të tretat e shqiptarëve në Ballkan.
Pastaj këtë tekst ajo e këndoi në Festivalin e ‘58 të Kangës në Radiotelevizion! Kuku, këngës, jo kangës.
Dhe çka bën vaki? Çohet njëri e thotë: tekst i ndyrë!
Çohet tjetri e thotë: ky është gjenocid kulturor. E dëgjuat mirë: të këndosh e flasësh gegënisht – gjenocid kulturor!
Janë zëra të papërgjegjshëm nga Tirana. Zëra njerëzish që shpërndajnë helm.
Policë gjuhësorë që kanë mandatuar veten për të ndotur debatet publike.
A e imagjinon kush se çfarë skandali do të shkaktohej po ta quante një gjerman dialektin e Zvicrës gjermane hiç më pak se gjenocid kulturor?
E dallimi mes dialekteve të Zvicrës gjermane me gjermanishten e standardit është shumë, shumë më i madh se dallimi mes dikujt që flet shqip në Mitrovicë dhe tjetrit që flet shqip në Mallakastër.
Këndoni e flisni gegënisht pa asnjë ngurrim. Le të çmenden hienat linguistike”, shkruan Robelli në rrjetet sociale.
Por një pjesë e komentuesve replikojnë me gazetarin duke thënë se e ka keqkuptuar debatin që po bëhet në Shqipëri, pasi Elvana, sipas tyre, nuk po akuzohet po gegnishten, por për tekstin.