Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) shpalli mbrëmë një krizë globale shëndetësore mbi koronavirusin kinez, vatra e të cilit është në qytetin Wuhan.
Kina raportoi rastet e para të infeksionit koronavirus në OBSH në fund të dhjetorit. Në total, është konfirmuar se numri i të infektuarve në të gjithë botën ka arritur pothuajse në 10,000, që do të thotë se më shumë njerëz janë të infektuar me koronavirus sesa SARS gjatë epidemive 2002 dhe 2003.
Në Kinë, mbi 200 njerëz kanë vdekur.
Emergjenca globale: Çfarë është dhe çfarë parashikon?
OBSH përcakton krizën globale të shëndetit si një “emergjencë” që paraqet një rrezik për vendet e tjera dhe kërkon një reagim të koordinuar ndërkombëtar.
Shpallja e gjendjes globale të jashtëzakonshme shpesh nënkupton që shumë më shumë para dhe burime do të investohen në parandalimin e përhapjes së virusit, por mund të inkurajojë dhe qeveritë që të kufizojnë udhëtimet dhe tregtinë me vendet e prekura.
OBSH ka një fond të caktuar për situata të tilla, i njohur si fondi i emergjencës. Deri më tani, organizata ka akorduar 1.8 milionë dollarë për të luftuar koronavirusin në rajone të caktuara rreth botës. Për paratë kontribuojnë një sërë shtetesh, me Britaninë e madhe që ofroi 11 milionë dollarë vitin e kaluar.
Fonde shtesë mund të sigurohen për të trajtuar dhe parandaluar përhapjen e virusit. Mbi bazën e një marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht të detyrueshme, 196 shtetet anëtare të OBSH duhet të implementojnë vendimet e organizatës, çka nënkupton një kundërpërgjigje më të koordinuar ndaj epidemisë.
Mes tyre mund të përfshihen rekomandime si skanime në pikat kufitare apo aeroporte. Megjithatë OBSH nuk këshillon kufizim të lëvizjeve dhe bën thirrje për normalizim të udhëtimeve dhe tregtisë ndërkombëtare.
Ekspertët thonë se ka prova në rritje se virusi po përhapet te njerëzit në Kinë, dhe se ekziston shqetësimi se virusi transmetohet nga personi në person dhe në vendet e tjera, përfshirë Japoninë, Gjermaninë, Vietnamin dhe Shtetet e Bashkuara.
Deri më tani, OBSH ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për epideminë e Ebola-s, virusit Zika dhe H1N1 (gripit të derrit).
“Epidemi e paparë”
Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus e përshkroi koronavirusin si një “epidemi të paparë”.
“Arsyeja kryesore për të shpallur një gjendje të jashtëzakonshme nuk është situata në Kinë, por ajo që po ndodh në vendet e tjera”, tha ai.
“Ne nuk e dimë se çfarë dëmi mund të bëjë virusi nëse ai përhapet në një vend me një sistem shëndetësor të dobët. Ne duhet të përgatitemi për këtë mundësi. Dhe për këtë arsye, unë shpall një gjendje të jashtëzakonshme”, shtoi ai.
“Rritja e vazhdueshme e numrit të rasteve dhe dëshmitë e transmetimit njeri-njeri në njerëz jashtë Kinës është shumë shqetësuese. Megjithëse numrat jashtë Kinës janë ende relativisht të vogla, ato kanë potencial për një epidemi shumë më të madhe”, shpjegon ai.