Bota Emiratet e Bashkuara Arabe, mbi 3 milionë euro për viktimat e tërmetit...

Emiratet e Bashkuara Arabe, mbi 3 milionë euro për viktimat e tërmetit në Shqipëri

Përmes krahut të saj humanitar, Gjysmëhëna e Kuqe e Emirateve, ERC, Emiratet e Bashkuara Arabe (UAE ), do të ofrojnë ndihmë emergjente  me vlerë mbi 3 milionë euro (13 milionë dirham) për viktimat e tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 nëntor 2019.

Ndihma humanitare do të dërgohet nën direktivat e Lartësisë së Tij Sheik Mohamed bin Zayed Al Nahyan, Princi i Kurorës së Abu Dhabit dhe Zëvendës Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura të Emirateve të Bashkuara Arabe, dhe monitorohet nga Sheik Hamdan bin Zayed Al Nahyan, Përfaqësuesi i Sunduesit në rajonin Al Dhafra dhe kryetarit të ERC-së, bën të ditur gazeta Khaleej Times.

Nga faza e parë e ndihmës urgjente humanitare, që përfshin nevojat themelore, e që varion nga ushqimi deri tek furnizimet mjekësore dhe strehimi do të përfitojnë 555 000 qytetarë.

Punonjësit e ndihmës së ERC-së do të udhëtojnë në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, të dielën për të menaxhuar dhe mbikëqyrur shpërndarjen e ndihmës në rajonet më të prekura. Ata gjithashtu do të inspektojnë kushtet humanitare në rajonet e goditura nga tërmeti për të vlerësuar nevojat urgjente dhe të koordinohen me autoritetet lokale për mekanizmat.

ERC deklaron se Emiratet e Bashkuara Arabe po japin ndihmë për popullin shqiptar, si pjesë e përgjegjësisë së saj ndërkombëtare humanitare për të ofruar një ndihmë për ata në nevojë pa asnjë dallim për ndonjë konsideratë dhe, si pjesë e politikës së jashtme të orientuar nga humaniteti, që i bën Emiratet e Bashkuara Arabe një kapital humanitar botëror.

“Sheik Hamdan është duke mbikëqyrur personalisht programet e ndihmës së ERC-së për të ofruar ndihmë për personat e prekur”, theksoi Dr. Mohamed Ateeq Al Falahi, Sekretari i Përgjithshëm i ERC-së.

“Prania e Emirateve të Bashkuara Arabe në zemër të kësaj krize humanitare dhe ndihma e saj humanitare, si dhe iniciativat në Europë nënvizojnë se Emiratet e Bashkuara Arabe janë bërë një faktor aktiv dhe efektiv në reagimin ndërkombëtar ndaj katastrofave humanitare dhe krizave”, shtoi ai.

Ai tregoi se ekipi i ERC-së do të koordinohet me zyrën e ERC-së në Tiranë, për të zbatuar misione humanitare në terren dhe me pas një studim për të vlerësuar ndihmën për shpëtimin e jetës.