Pesë ditë pas grabitjes së 3.2 milionë dollarëve në rrugën e Rinasit, Policia e Shtetit ka vënë në pranga 4 prej autorëve të dyshuar, pas një operacioni masiv, ku u përfshinë edhe forcat RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Gjithsesi, policia nuk ka mundur të arrestojë dy prej autorëve të grabitjes, që konsiderohen dhe si kryesorët.
Të arrestuarit kanë pranuar para hetuesve dy grabitjet e tjera, pranë Rinasit dhe në autostradë, në datat 9 shkurt 2014 dhe 3 dhjetor 2015. Dy nga autorët e grabitjes janë ish-komando që kanë kryer mision në Afganistan. Të arrestuarve u është gjetur edhe një pjesë e parave të grabitura.
Ngjarja ndodhi të enjten e 9 shkurtit, ku automjeti që transportonte lekët drejt aeroportit të Rinasit u grabit nga të paktën 6 grabitës.
Aktualisht janë arrestuar në akuzën e shpërdorimit të detyrës, grupi shoqërues i parave të një kompanie private sigurimi dhe drejtori teknik i saj.
“Golfi” që tradhtoi grabitësit
Një “Golf” i vjedhur i përdorur nga grabitësit pas djegies së automjeteve në Urën e Limuthit, ka çuar në identifikimin e tyre.
Kamerat e bizneseve në Vorë kanë fiksuar automjetin tip “Golf” me të cilin kanë udhëtuar grabitësit nga Ura e Limuthit në Vorë.
Ata kanë përdorur “Golfin” pasi i vunë flakën dy automjeteve tip “Jeep” dhe “Chevrolet”.
Autorët kanë banuar për disa ditë në një kompleks banimi në Vorë, ndërsa janë larguar prej atyre disa minuta përpara se të mbërrinte policia.
Policia ka rënë në gjurmët e grabitësve pas një hetimi të thellë në zonat pranë vendit ku ndodhi grabitja. Vora dhe Fushë Kruja cilësoheshin si zonat e mundshme ku mund të fshiheshin grabitësit dhe në funksion të zbardhjes së kësaj ngjarje.
Njoftimi i policisë
Drejtoria Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Shtetit në bashkëpunim dhe me prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit “Patriot”, pas hetimeve intensive, zbuluan , dokumentuan dhe arrestuan autorët e dy grabitjeve të vlerave monetare bankare në transport, në aksin Tiranë- Rinas. 2 grabitjet ndodhën në: 3 dhjetor 2015, ku u sulmuan me armë eskorta e vlerave monetare Rogat Security, në aksin Tiranë – Rinas, në afërsi të Qafës së Kasharit. 9 shkurt 2017, ku u sulmuan me armë eskorta e vlerave monetare Jaguar, në aksin Tiranë-Rinas, afër universitetit Epoka.
Pas veprimeve intensive hetimore, informacioneve të marra në rrugë operative, provave shkencore të mbledhura nga ekspertët e policisë, u arrit të provohej dhe dokumentohej impklikimi i të paktën 6 shtetasve të mëposhtëm në këto 2 ngjarje:
• Fation Xhyliu , 33 vjec, lindur në Lushnje banues në Tiranë, ish punonjës në Shpsf “Rogat”
• Ditjon Memlika, 31 vjec, lindur në Tepelene dhe banues ne Tiranë, ish efektiv në forcat ushtarake
• Neim Avdulaj, 28 vjec, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, ish-ushtar profesionist në forcat ushtarake te Zallherrit.
• Ernest Kupa, me banim në Krujë, me biznes privat.
U shpallën në kërkim shtetasit me iniciale M.A., dhe Ç.A. dhe po punohet për kapjen e tyre.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, vlera monetare të konsiderueshme në valutën paund, dollarë amerikane, kanadezë dhe australianë, euro dhe lekë shqiptare, (kartmonedha këto të deklaruara në transportet monetare të vlerave të bankave respektive).
Është provuar tërësisht mekanizmi dhe roli i gjithë të dyshuarve të përfshirë në këto 2 ngjarje, duke nisur nga marrja e informacionit mbi lëvizjen e eskortës, vëzhguesit dhe personat që kanë kryer goditjen me armë.
Grupi hetimor vijon me intensitet punën për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm, të implikuar në këto ngjarje, por edhe për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale.