Policia ka arrestuar 51-vjeçari Mihal Kokëdhima, si autorin e dyshuar të sulmit të një dite më parë ndaj një grupi me turistë spanjollë.
“Ditën e djeshme, në lokalin e tij Bar-Restorant në Porto Palermo të Himarës, shtetasi M.K., për motive të dobëta ka kanosur me fjalë një grup turistësh spanjollë dhe më pas ka dëmtuar mjetin e transportit privat të tyre dhe është konfliktuar fizikisht me ta duke u shkaktuar dëme në trup, por më shumë është dëmtuar shtetasja spanjolle K.R.”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Incidenti është shënuar të enjten, ku sipas raportimeve, turistëve nuk i ka pëlqyer shërbimi në një lokal dhe kanë tentuar të largohen.
Furgoni i tyre është ndjekur nga pronarët të cilët kanë goditur me grushte turistët dhe drejtuesin e mjetit. Më pas, kanë nxjerrë armë të ftohta dhe kanë tentuar t’i godasin. Ata kanë thyer xhamin e furgonit, i cili ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes.