Fotografi i njohur Endrit Mertiri ishte i ftuari i radhës ditën e sotme në emisionin e mëngjesit “Wake Up”, ku ka rrëfyer më shumë për punën e tij.
Prej disa kohësh, ai po udhëton botën me modelet e tij, duke realizuar sete fantastike fotografike, mirëpo nëse kontrolloni në profilin e Endritit në Instagram, mungojnë fotot e personazheve VIP shqiptarë.
Fotografi e ka një arsye pse ka vendosur të mos i fotografojë më, të cilën e ka treguar sot në emision.
Endriti tregon se personazhet publikë ndërhyjnë në punën e tij, duke kërkuar ta perfeksionojnë foton me photoshop.
“Me modelet ti tregon artin tënd, dëshirat e tua, çfarë do të bësh. Ndërsa me personazhet, ka disa që të ndërhyjnë te veshja, ndërhyjnë te grimi, ndërhyjnë të pozat, ndërhyjnë dhe në post produksion. Detyrohesh që edhe fotot të mos i postosh fare sepse kanë bërë çfarë kanë dashur. Në fund të fundit, publiku ka të drejtë që thotë ‘sa shumë photoshop’ ose ‘nuk njihet’. Kjo është diçka që hyn drejtpërdrejt te profesionalizmi“, tregoi Mertiri.
“Ka personazhe shqiptarë që janë të kompleksuar dhe të shtyjnë të të dalësh nga profesionalizmi dhe detyrohesh ta bësh setin vetëm sepse nuk do t’ia prishësh ose nuk do ta mërzisësh”, shtoi ai.