Kryesore Hyn në fuqi paketa “AntiKÇK”, Gjonaj: Kush do të ndëshkohet

Hyn në fuqi paketa “AntiKÇK”, Gjonaj: Kush do të ndëshkohet

Qeveria shqiptare ka miratuar sot atë që e ka quajtur paketa KÇK, duke ndryshuar disa ligje, si ai Antimafia, ai i Policisë së Shtetit, ai për Administrimin e Pasurive të Konfiskuara dhe Sekuestruara si dhe në Kodin Penal.

“Të gjitha këto ndryshime, bashkë me ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë tashmë vendimmarrje e Kuvendit. Akti është normativ dhe hyn në fuqi menjëherë dhe ka të bëjë me pasurinë e tyre”, tha ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni.

“Pjesë e paketës anti KÇK, janë edhe ata të cilët ndonëse të akuzuar për krime të rënda, për shkak të sistemit të kalbur të drejtësisë, nuk u dënuan kurrë dhe lëvizin të lirë. Të gjithë këta do të duhet të provojnë se banesat, bizneset, tokat dhe llogaritë bankare të tyre burojnë nga puna dhe jo aktiviteti i paligjshëm. Barra e provës do të qëndrojë mbi ta”, shtoi ajo.

Njëkohësisht, subjekte të kësaj pakete do të jenë edhe ata që për të fshehur pasuritë i kanë transferuar ato në palë të treta. Këto lloj transferimesh apo transaksionesh do të anulohen dhe konsiderohen të pavlefshme.

Sipas ministres, paketa i jep policisë, SPAK dhe gjykatave mjetet dhe kornizat e duhura ligjore për të luftuar krimin e organizuar. Ndërkohë pjesa e dytë e paketës “AntiKÇK” ka të bëjë me prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.

“Pjesa tjetër e paketës ka të bëjë me prokurorë dhe gjykatës, të cilët po sfidojnë shtetin, ligjin dhe tërë shoqërinë me vendime si ajo e gjyqtares së Krujës që në radhë nuk është i vetmi. Për të gjithë këta sfidues të ligjit që abuzojnë për përfitime personale teksa kalojnë ditët e fundit të Vettingut, me këtë paketë institucionet e reja të drejtësisë do të kenë mekanizma efikase për të ndëshkuar çdo gjyqtar dhe prokuror që merr guximin për të shkelur ligjin”, tha ministrja.