Jean-François Delfraissy, shefi i epidemiologjisë në Francë është shprehur se mbipesha është një faktor kryesor rreziku për personat e infektuar me koronavirus.
Delfraissy, i cili drejton Këshillin Shkencor këshillues të qeverisë mbi epideminë, tha se rreth 25 përqind e francezëve janë shumë të rrezikuar nga virusi për shkak të moshës, sëmundjeve shoqëruese dhe mbipeshës.
Epidemiologu francez veçoi amerikanët, duke theksuar se janë mjaft të rrezikuar për shkak të mbipeshës. Aktualisht në SHBA, 42,4 përqind e popullsisë janë mbipeshë.
“Ky virus është i tmerrshëm. Mund të godasë të rinjtë, në veçanti të rinjtë obezë. Ata që janë mbipeshë, duhet të jetë shumë të kujdesshëm. Kjo është arsyeja pse ne jemi të shqetësuar për miqtë tanë në Amerikë, ku problemi i mbipeshës është i njohur dhe ndoshta ata do të kenë më shumë probleme”.