Artan Simaku, mjek epidemiolog, thotë se nuk pritet që në një kohë të afërt, të ketë heqje të masave kufizuese për COVID-19. Ai nënvizon se, për moshën e tretë dhe nxënësit do të ketë kufizime pasi shihen si dy grupet më të rrezikuara.
“Nuk pritet që të lehtësohen në të ardhmen e afërt, por lehtësimi i masave do të vazhdojë me pikatore. Karantina për grupet me risk të popullatës siç janë mosha e tretë dhe shkollat do të vijojë. Javë pas jave do të shihen grupet që mund të pësojnë një lehtësim” shpreh z. Simaku.
Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë ka pasur 8 të infektuar të rinj, 16 të shëruar, ndërsa në total deri tani janë shënuar 24 viktima. Doktori thotë se, e rëndësishme është që trendi është në rënie dhe duhet vijuar survejanca e përforcuar dhe nga ana tjetër nuk ekziston shqetësimi që ishte në fillim të pandemisë se numri i të prekurve mund të rritej.
Duke folur në ‘Ilva Now’, z. Simaku tha nga ana tjetër, se është konfirmuar që koronavirusi merret jo vetëm nga kontakti i drejtpërdrejtë, por dhe nga kontakti me sipërfaqe të kontaminuar apo të infektuar. Por nga veshjet nuk është vërtetuar akoma.
Për sa i takon rasteve të prekur rishtas nga COVID-19, epidemiologu tha se, në herën e dytë virusi shfaqet me simptoma më të lehta. “Janë raportuar nga Koreja e Jugut dhe Kina për pacientë që janë prekur sërish nga COVID-19. Ata që preken për herë të dytë nuk e kalojnë në të njëjtën formë, por në formë më të zbutur, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga OBSH”, u shpreh ai.
Lidhur me strategjinë që duhet ndjekur, doktori tha se, strategjia kryesore është testimi i rasteve dhe gjurmimi i kontakteve, strategji që rekomandohet në fazën e karantinës ndërsa me daljen nga karantina duhet të shihet mundësia e testeve më të gjera./EuronewsAlbania