Epidemiologu Dritan Ulqinaku tha për Euronews Albania se situata në të cilën ndodhemi për shkak të COVID-19 është tashmë një lojë mes nesh dhe virusit që mund të fitohet nga ky i fundit nëse ne nuk respektojmë masat e thjeshta, që janë distanca fizike 1,5 metër dhe mbajtja e maskës.
Teksa sqaroi se maska në fakt nuk mbron personin që e mban, por personat që ndodhen pranë tij epidemiologu tha se maskat e thjeshta, ato kirurgjikale, nuk mund të mbahen më shumë se 20 minuta, ndërsa sugjeroi përdorimin e maskave prej cohe të cilat duke u larë dhe hekurosur janë mbrojtëse shumë të mira.
“Nëse ruajmë distancën dhe mbajmë maskë në ambientet e mbyllura, numri i rasteve do të vijë duke u ulur, ose ndryshe do të ndodhë e kundërta. Gjithë ndërhyrjet e dhunshme që qeveria ndërmerr, si mbyllja apo ndalimi i aktiviteteve është frika që ne kemi nga shtimi i rasteve që mund ta bëjë të papërballueshme situatën.
Shteti ka detyrë thelbësore të mbrojë spitalet të paprekura nga COVID-19, pjesa tjetër është përgjegjësi e qytetarëve”, tha epidemiologu.
I pyetur lidhur me projeksionet e mundshme mbi atë çfarë pritet të ndodhë me virusin, mjeku tha se nuk pret një bum tjetër rastesh, teksa theksoi se virusi ka treguar të njëjtin lloj agresiviteti si në dimër, edhe në verë.
“Unë nuk pres një bum tjetër, nuk shoh më keq se kaq; baret plot, rrugët plot, plazhet të tejmbushura. Duke ditur se virusi është problematik si në verë dhe në dimër. Vihet re një prekje e moshave të reja, kjo për shkak të sensibilizimit të moshave të treta. Janë më të përgjegjshëm moshat e treta, e kanë kuptuar më mirë situatën”, tha mjeku Ulqinaku.
Teksa i cilësoi turpe mbylljet e aktiviteteve të ndryshme për shkak të pandemisë epidemiologu shtoi se kjo është një masë drastike që merret e detyruar nga situata, duke qenë se vendi ynë ka një kapacitet të kufizuar kapacitetesh spitalore dhe mungesë të stafit të kualifikuar.
Sipas tij, nëse numri i rasteve ditore me COVID-19 do të jetë poshtë shifrës 100, situata është e përballueshme.