Pas reagimeve të ashpra për arrestimin e admiralëve në pension, presidenti turk cilëson edhe partinë kryesore të opozitës si terroriste.
Erdogan ka hedhur akuza se në qendër të tentativës për grusht shteti është partia Republikane.
“Na fajësojnë se të gjithë po i shpallim terroristë. Flasin kështu sepse kanë lidhje të ngushta me puçistët dhe shqetësohen kur përmendim këtë term. Ata të cilët nënvlerësojnë iniciativën e admiralëve në pension që kërcënuan pushtetin legjitim të këtij vendi me grusht shteti, janë terroristë me plot kuptimin e fjalës. Po e them qartë. Në qendër të këtyre admiralëve është vetë Partia Republikane. Mes grupit me 104 persona ka anëtarë të kësaj partie. Nuk ka për tu tentuar më. Nuk do ta lejojmë. Këtë herë do ta paguani shumë rëndë. Ju do të arratiseni dhe ne do ju kapim”, ka thënë ai.
Autoritetet vijojnë hetimet për letrën e admiralëve në pension, ndërsa disa prej tyre qëndrojnë në qeli.
Kjo iniciativë e ish-admiralëve erdhi pas vendimit të Turqisë për t’u larguar nga marrëveshja e Stambollit, përpjekjeve që vendi të dalë edhe nga marrëveshja e Montros për Bosforin si dhe pas nisjes së punës për kushtetutë të re në vend.