Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan konfirmoi sot, në një artikull të publikuar nga “Wall Street Journal” se vendi i tij do të pengonte luftëtarët e grupit të Shtetit Islamik për t’u larguar nga verilindja e Sirisë, ku ushtria turke ka ndërmarrë një ofensivë kundër forcave kurde.
“Ne do të sigurohemi që asnjë luftëtar i Shtetit Islamik nuk do të mund të largohet nga verilindja e Sirisë”, thekson Erdogan në këtë artikull të publikuar nga “Wall Street Journal”.
Drejtuesi turk kërkon gjithashtu të qetësojë perëndimorët që i tremben një rishfaqjeje të Shtetit Islamik dhe arratisjes së luftëtarëve të ndaluar nga forcat kurde të YPG-së që janë vënë në shënjestër të ofensivës së ndërmarrë nga Ankaraja.
“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me vendet e origjinës dhe organizatat ndërkombëtare për rehabilitimin e grave dhe fëmijëve të luftëtarëve terroristë të huaj”, shtoi ai.
Turqia akuzoi dje forcat kurde se kishin lënë të lirë anëtarët e Shtetit Islamik që ata mbanin të ndaluar në verilindje të Sirisë, kjo me qëllimin për të përhapur kaos në këtë rajon.