Një ditë pasi Turqisë i shkoi një mesazh i drejtpërdrejtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vjen përgjigja e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan.
Media greke “Kathimerini”, duke ju referuar gazetave turke, shkruan se Erdogan synon të ulet në tryezën e dialogut me Greqinë.
Por diçka të tillë do ta bëjë vetëm pasi pala greke të ulë tensionet dhe të bëjë hapa pas.
“Për çështjen e Mesdheut Lindor, ne do të vazhdojmë përpara në rrugën e diplomacisë. Turqia ka 100% të drejtë mbi të drejtat e saj në Mesdheun Lindor. Në rast se pala e kundërt tërhiqet dhe ul intensitetin e tensioneve, atëherë në Mesdheun Lindor, përmes diplomacisë, mund të aplikojmë politikën “fitore-fitore”. Ne duhet të nxjerrim në pah bashkëpunimet dhe përpjekjet që kemi bërë për të mbështetje të ndërsjellë me vendet e rajonit, kryesisht me Greqinë”, mësohet t’u ketë thënë zyrtarëve Erdgoan në një takim me dyer të mbyllura, sipas “Kathimerinit”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha të mërkurën në një konferencë për shtyp se palët duhet të tërhiqen dhe të ulin tensionet me qëllim që t’i hapin rrugë dialogut.
Ai theksoi se në bisedën që presidenti Donald Trump ka patur me Erdogan dhe Kyriakos Mitsotakis, ka nënvizuar se nuk është e dobishme të rritet tensioni ushtarak në rajon.