Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan e ka përsëritur edhe një herë se nuk do ta mbështesë aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO. Lideri turk është shprehur që Suedia “as të mos e marrë mundimin.”
Suedia dhe Finlanda aplikuan vitin e shkuar për t’u anëtarësuar në aleancën trans-atlantike pasi Rusia pushtoi Ukrainën.
Dy vendet më pas tentuan që të fitonin mbështetjen e Turqisë pasi kjo e fundit doli thuajse menjëherë kundër. Megjithatë, Ankaraja i pezulloi bisedimet muajin e shkuar pasi një politikan danez i së djathtës ekstreme dogji një kopje të Kuranit në Stokholm.
“Suedia në këtë pikë as nuk duhet ta marrë mundimin. Nuk do t’i themi po aplikimit të saj për NATO për sa kohë ata lejuan djegien e Kuranit,” tha presidenti Erdogan.
Presidenti turk nënkuptoi se dritën jeshile mund t’ia japin Finlandës vetëm, por ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto deklaroi se vendi i tij do të vijojë të eci së bashku me Suedinë në procesin e anëtarësimit.
Turqia dhe Hungaria janë të vetmet vende që nuk e kanë aprovuar aplikimin e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO. Vendimi për zgjerimin e Aleancës, sipas rregullave, duket marrë në mënyrë unanime.