Kritikave të komunitetit ndërkombëtar për ofensivën në Siri, presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ju përgjigj me tone kërcënuese. Ai paralajmëroi të kthejë në Europë miliona refugjatët që po strehon Turqia.
“Hej Bashkimi Europian, mblidhe veten! Po e përsëris edhe një herë. Nëse përpiqesh ta etiketosh këtë operacion si një pushtim, është shumë e thjeshtë. Ne do të hapim dyert dhe do të dërgojmë 3.6 milionë refugjatët drejt Europës. Që prej fillimit të operacionit, 109 terroristë janë vrarë deri më tani. Si të gjitha operacionet e ndërmarra nga Turqia, qëllimi i “Pranverës së Paqes” është të kontribuojë në integritetin territorial e politik të Sirisë”, tha Erdogan.
Një ditë më parë, Turqia nisi ofensivën në territorin e kontrolluar nga kurdët, aleatë të Shteteve të Bashkuara në Siri, por të cilët Ankaraja i konsideron si terroristë. Disa qyteza e fshatra u goditën nga sulmet ajrore dhe zjarri i artilerisë të mërkurën, duke detyruar shpërnguljen e mijëra qytetarëve. Kryqi i Kuq flet për të paktën 7 viktima, dy prej të cilëve fëmijë, ndërsa të paktën 19 te tjerë u plagosën rëndë. Sipas ushtrisë ishin shënjestruar 181 pozicione terroriste.