Kryetari i Partisë Demokratike, i ka quajtur tepër problematike marrëdhëniet e kryeministrit Edi Rama me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ndërsa ka sulmuar presidentin e Turqisë.
“Ne jemi një forcë politike e interesit kombëtar. Dhe ne duhet t’i themi shqiptarëve të vërtetat ashtu siç janë dhe do të ua themi. Unë e kuptoj se ka qytetarë që e interpretojnë si të veçantë qëndrimet e presidenti të Turqisë, por ato janë absolutisht në kundërshtim flagrant me miqësinë dhe bashkëpunimin që ka ekzistuar mes dy vendeve sovrane. Së pari i rikujtoj çdo shqiptari që kurrë nuk duhet të harrojë se për ne kombi është i pari dhe ne jemi komb plurireligjoz. Ne nuk mund të pranojmë ndikime politike nga askush në raportet tona fetare”, tha Berisha.
“Ata që e thanë se ‘feja e shqiptarit është shqiptaria’, ishin besimtarë të Zotit. Ata e thanë këtë se fetë nuk duhet ti përçajnë shqiptarët. Në një anë kërkon të emërohet kreu i Komunitetit Mysliman, i cili zgjidhet me votë nga xhemati i tij. Tani na del se do të na hapë dhe mbyllë shkollat kur të dojë. Nuk ka akt më të turpshëm, poshtërues, të shpifur se sa të mbyllësh shkolla e kopshte fëmijësh, se gjoja janë të lidhura me terroristë dhe puçistë në Turqi. Nëse Turqia do të respektojë Shqipërinë si vend sovran nuk do të mundet të diktojë mbyllje shkollash dhe kopshtesh. Me asnjë manovër dhe ne këtë do të ua themi shqiptarëve kudo që janë. Ne nuk mund të pranojmë një individ si ky, për të lejuar që vendimet për ne të merren në Beograd dhe Stamboll. Kanë ikur ato kohëra”, tha Berisha, duke “harruar” që kur ishte kryeministër kishte një aleancë të ngushtë me presidentin turk.