Pak orë nga samiti vendimtar i Berlinit, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan pas largimit nga Turqia drejt Gjermanisë u hodh në sulm ndaj Greqisë dhe kryeministrit të saj.
Presidenti turk tha se Athina është në një pozitë shumë të vështirë sepse nuk ishte e ftuar në takim. Ai u shpreh se “Turqia e ka çmendur Greqinë”.
Duke iu referuar Kyriakos Mitsotakis, ai tha se Kryeministri grek po “luante lojën e gabuar” dhe se “hapat që ai po ndërmerr nuk janë të drejtë”.
Erdogan gjithashtu iu referua vizitës së gjeneralit, Chalifa Haftar në Greqi, duke theksuar se nuk kishte asnjë arsye që qeveria greke ta takonte, në një kohë kur lideri i njohur i Kombet e Bashkuara në Libi është kryeministri libian, Fajis al-Sarradsh, i cili drejton vendin që nga viti 2016 me të ashtuquajturën “Qeveri e Unitetit Kombëtar”.
Presidenti turk ka akuzuar komunitetin ndërkombëtar se nuk ka reaguar siç duhet ndaj sulmeve të “grushtit të shtetit” nga Haftar.
Ai pohoi se “organizatat terroriste si ISIS dhe al-Kaeda kanë rikthyer terren në Libi dhe sulmet e tyre kërcënojnë të gjithë pellgun mesdhetar” dhe se “Turqia ka çelësin për paqen në Libi”.
Shtetet e paftuara
Greqia do të kishte marrë pjesë me dëshirë në këtë konferencë. Qeveria në Athinë është e shqetësuar për marrëveshjen e arritur mes Turqisë dhe Libisë për përcaktimin e kufijve detarë. Vërtet kjo ujdi nga pikëpamje ndërkombëtare juridike nuk do të qëndronte, por Turqia përmes manovrave detare ka treguar se është e vendosur të bëjë realitet pretendimet e saj.
Këtu futet edhe e drejta e shfrytëzimit të atyre pjesëve të fushave me gaz që bien në territorin e saj përmes ndryshimit të kufijve detarë. Greqia i trembet kësaj marrëveshjeje që për të kufizon lirinë e lëvizjes detare. Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis është shprehur i shqetësuar të premten në një telefonatë me kancelaren Merkel për “aksionet destabilizuese të Turqisë”.
Edhe Tunizia, vendi fqinj i Libisë nuk është ftuar në konferencë. Ambasadori tunizian, Ahmed Chafra në Berlin kundrejt Deutsche Welles është shprehur me tone kritike. “Kjo na ka habitur shumë, sepse Tunizia është vendi, që pëson e para dëmet më të mëdha, për çdo gjë që ndodh në Libi.”
Ai theksoi, se “është e rëndësishme të dihet, se një pjesë e sfidave të mëdha që ka Tunizia në ekonomi dhe siguri kanë të bëjnë me situatën në Libi.”