Bota Erdogan paralajmëron Greqinë “të shmangë gabimet”: Gati opsioni ushtarak

Erdogan paralajmëron Greqinë “të shmangë gabimet”: Gati opsioni ushtarak

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka deklaruar se Turqia nuk do të tërhiqet nga e drejta e saj për kërkime në ujërat detare, pavarësisht përplasjeve që mund të lindin me vende të tjera.

“Turqia do të shfrytëzojë të drejtat e saj në detin e Zi, në Egje dhe Mesdhe. Nuk do të bëjmë kompromis për atë që na përket neve, sikurse nuk do të pretendojmë kurrë territorin apo sovranitetin e një vendi tjetër”, ka thënë Erdogan.

Erdogan ka theksuar se Turqia do të jetë e gatshme për çdo opsion, përfshirë atë ushtarak, edhe pse i ka bërë thirrje Athinës që të përmbahet nga veprime që mund ta dëmtojnë atë.

“Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka në aspektin ushtarak, politik dhe ekonomik. Ne ftojmë homologët tanë të mbledhin mendjen dhe të shmangin gabime që do të sillnin shkatërrimin tyre”, ka paralajmëruar presidenti turk.

Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë janë rritur për shkak të kërkimeve për burime natyrore që Ankaraja ka nisur në lindje të Mesdheut. Nga ana tjetër, Athina pretendon se po i shkelen ujërat territoriale.