Politika Zgjedhjet në Malin e Zi, Cakaj: Mbështesni ‘Listën Shqiptare’ në këtë moment...

Zgjedhjet në Malin e Zi, Cakaj: Mbështesni ‘Listën Shqiptare’ në këtë moment vendimtar

Mali i Zi do të mbajë këtë të diel zgjedhjet parlamentare, ku partitë shqiptare janë grupuar në një koalicion të madh nën emrin Lista Shqiptare. Në një deklaratë të përbashkët të ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj dhe ministres së Jashtme të Kosovë, Meliza Haradinaj-Stublla bëhet thirrje që në një moment të tillë vendimtar politik, shqiptarët të mbështesin Listën Shqiptare.

“Ju bëjmë thirrje të gjithë bashkëkombësve tanë, vëllezërve tanë në Mal të Zi, të dalin masivisht në zgjedhjet e së dielës për ta mbështetur fuqimisht Listën Shqiptare dhe ruajtur projektin euroatlantik të Malit të Zi. Kjo listë nuk lidh për herë të parë vetëm Malësinë e Ulqinin por duhet të bashkojë gjithë shqiptarët pa dallim”, shprehet Cakaj.

Pjesa e madhe e forcave politike shqiptare nw Malin e Zi kanë arritur të formojnë një koalicion të quajtur Lista Shqiptare. Shqiptarët etnikë në këtë vend arritën një marrëveshje të tillë falë angazhimit të diasporës shqiptare me qendër në SHBA. Në koalicionin e Listës Shqiptare bëjnë pjesë Forumi Demokratik, Forca Lëvizja Civile për Perspektivë dhe Unioni i Tuzit. Pavarësisht se dy parti shqiptare kanë formuar koalicion më vete, diaspora shqiptare ka bërë thirrje për të mbështetur vetëm Listën Shqiptare.

Shqiptarët përbëjnë rreth 5% të popullsisë prej 620 mijë banorë. Shumica e tyre jeton kryesisht në Tuz, afër kryeqytetit dhe Ulqin. Në të dy këto qytete, partitë shqiptare drejtojnë pushtetin lokal. Në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në fund të vitit 2016, partitë shqiptare garuan të ndara duke marrë gati 10 mijë vota, që përbën gjysmën e elektoratit shqiptar në Malin e Zi.

Zgjedhjet e 30 gushtit do të jetë procesi i shtatë zgjedhor që prej shpalljes së pavarësisë. Këto zgjedhje shihen si fundi i erës së Presidentit, Milo Gjukanoviç që është akuzuar shpesh për lidhje me krimin dhe korrupsionin. Shumë analistë thonë se, ai ka arritur të mbijetojë për shkak se mungesës së harmonisë mes etnive.