Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, tha të shtunën se kishte urdhëruar Ministrinë e Jashtme të shpallte ‘non grata’ 10 ambasadorë të vendeve perëndimore pas thirrjeve për lirimin e filantropistit Osman Kavala.
Kavala ka qenë në burg për katër vjet, i akuzuar për financimin e protestave mbarëkombëtare në 2013 dhe për përfshirjen në një grusht shteti të dështuar në 2016. Ai i ka mohuar akuzat.
Në një deklaratë të përbashkët në 18 tetor, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë, Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Norvegjisë, Suedisë, Finlandës dhe Zelandës së Re kërkuan për një zgjidhje të drejtë dhe të shpejtë të çështjes së Kavalës dhe për ‘lirimin urgjent’ të tij.
“I dhashë urdhrin e nevojshëm ministrit tonë të Jashtëm dhe thashë se çfarë duhet bërë: Këta 10 ambasadorë duhet të shpallen persona ‘non grata’ menjëherë. Do ta rregulloni menjëherë”, – tha Erdogan gjatë një fjalimi duke përdorur një term që do të thotë se një diplomat nuk është më i mirëpritur në vend.
“Ata do ta njohin dhe kuptojnë Turqinë. Ditën kur ata nuk e njohin dhe kuptojnë Turqinë, ata do të largohen”, – tha ai gjatë një takimi me mbështetës në qytetin veriperëndimor të Eskisehir.
Kavala u shpall i pafajshëm vitin e kaluar lidhur me akuzat për organizmin e protestave të vitit 2013, por vendimi u rrëzua këtë vit dhe iu shtuan akuzat për një rast tjetër në lidhje me tentativën për grusht shteti të vitit 2016.
Grupet e të drejtave të njeriut thonë se rasti i tij është simboli i goditjes ndaj disidencës nën drejtimin e Erdogan.