“Bota po shikon në transmetim të drejtpërdrejtë barbarinë e vampirit të quajtur Netanyahu, ndërkohë që asnjë besim nuk e konsideron legjitim djegien për vdekje të civilëve të pafajshëm në tendat e tyre”, deklaroi sot presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan.
”Krerë shtetesh dhe të qeverive evropiane, jeni bërë palë në këtë vampirizëm të Izraelit, sepse keni heshtur”, shtoi ai.
”Izraeli vrau njerëzit në Gaza, ndërsa Europa ka vrarë vlerat e veta, shkeli të gjitha vlerat të cilat e bëjnë ekzistenciale. OKB jo që nuk mundi të ndalë gjenocidin, por nuk arriti të mbrojë as punonjësit e saj të ndihmës. Në Gaza nuk ka vdekur vetëm humanizmi, por edhe OKB bashkë me frymën e saj”, theksoi presidenti turk.
”Kam dy fjalë për botën islame, çfarë prisni për të marrë një vendim të përbashkët? Allahu do t’ju kërkojë llogari për këtë, të gjithëve neve. Asnjë vend nuk është i sigurt, nëse Izraeli nuk detyrohet të respektojë ligjin ndërkombëtar”, tha ai.
”Më shumë se 3/4 e 193 anëtarëve të OKB-së e njohin Palestinën. Vendimi i përbashkët i 147 vendeve nuk mund t’u lihet tekave të pesë vendeve. 147 është më i madh se pesë. Ky gjenocid, brutalitet dhe barbarizëm duhet të ndalet nga një aleancë e bashkuar e njerëzimit, përpara se Netanyahu dhe rrjeti i tij vrasës të dalin jashtë kontrollit”, shtoi Erdogan.