“Ne do t’i mësojmë Perëndimit se fyerja e vendeve të shenjta të muslimanëve nuk është liri e mendimit”, tha të enjten presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, duke komentuar djegien e djeshme të një kopje të Kur’anit në Suedi, transmeton Anadolu.
Erdogan mori pjesë në festën e Kurban Bajramit me anëtarë të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Stamboll dhe foli për ngjarjet aktuale. Ndër të tjera ai ka komentuar edhe incidentin e djeshëm të djegies së një kopje të Kur’anit në Stokholm, kryeqytetin e Suedisë.
“Ata që e bëjnë këtë krim, që e lejojnë nën petkun e lirisë së mendimit, që mbyllin sytë para kësaj poshtërsie, nuk do t’i arrijnë qëllimet e tyre. Ne do të reagojmë më fort derisa të zhvillohet një luftë vendimtare kundër organizatave terroriste dhe armiqve të Islamit”, tha Erdogan.
Ai nënvizoi se duhet ditur se Turqia nuk do t’i dorëzohet kurrë politikës së provokimit apo politikës së kërcënimit.
“Ne përfundimisht do t’u mësojmë monumenteve perëndimore të arrogancës se fyerja e vendeve të shenjta të myslimanëve nuk është liri e mendimit”, përfundoi Erdogan.
Edhe SHBA dënon djegien e Kur’anit
Departamenti Amerikan i Shtetit e përshkroi djegien e djeshme të një kopje të Kur’anit, e cila u krye nga Salwan Momika, me origjinë nga Iraku, para një xhamie në Stokholm nën mbrojtjen e policisë, si “mosrespektuese dhe të dhimbshme”.
I pyetur për incidentin, Vedant Patel, zëvendës zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, u përgjigj: “Ne kemi thënë vazhdimisht se djegia e teksteve fetare është mungesë respekti dhe e dhimbshme, dhe ajo që mund të jetë e ligjshme nuk është domosdoshmërisht e përshtatshme.”
Ai shtoi se qeveria suedeze dhe policia lokale mund të bëjnë më shumë komente për këtë incident.
Fyerja e Islamit
Patel theksoi se ata vazhdojnë të inkurajojnë Hungarinë dhe Turqinë që të ratifikojnë pa vonesë protokollin e anëtarësimit për pranimin e Suedisë në NATO.
Shtetasi irakian Salwan Momika dogji një kopje të librit të shenjtë mysliman të Kur’anit përpara një xhamie në kryeqytetin suedez të mërkurën.
Ngjarja ka ndodhur para xhamisë në Medborgarplatsen, ku Momika fillimisht e ka hedhur në tokë Kur’anin dhe më pas e ka djegur me fjalë fyese kundër Islamit.
Policia lokale u thirr jashtë xhamisë për të parandaluar çdo incident si një përgjigje e mundshme ndaj provokimit.
Vendimet e gjykatës
Më 12 qershor, gjykata e apelit e Suedisë la në fuqi vendimin e një gjykate më të ulët për të anuluar ndalimin e djegies së Kur’anit, duke vendosur se policia nuk kishte bazë ligjore për të parandaluar dy protesta për djegien e Kur’anit në fillim të këtij viti.
Në shkurt, policia refuzoi të lejojë dy përpjekje për djegien e Kur’anit, duke përmendur shqetësimet e sigurisë, pasi politikani danez i ekstremit të djathtë Rasmus Paludan dogji një kopje të Kur’anit jashtë ambasadës turke në Stokholm në janar të këtij viti.
Më vonë, dy persona që u përpoqën të organizonin protesta provokuese përpara ambasadës së Irakut dhe Turqisë në Stokholm, apeluan vendimin.
Në prill, Gjykata Administrative e Stokholmit e ndryshoi vendimin, duke vendosur se rreziqet e sigurisë ishin të pamjaftueshme për të kufizuar mundësinë e demonstratave.