Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan arriti sot në Katar për të diskutuar problemet rajonale dhe marrëdhëniet bilaterale me Emirin Sheik Tamim bin Hamad Al Thani.
Ankaraja dhe Doha janë aleatë të afërt rajonalë; lidhjet e tyre të forta janë zhvilluar nga të dy shtetet gjatë kohërave të vështira, dhe udhëheqësit e tyre janë shumë të lidhur personalisht.
Të dy qeveritë ndajnë të njëjtat pikëpamje për një numër problemesh rajonale vitet e fundit, të tilla si lufta në Siri, vuajtjet e popullit palestinez dhe grusht shteti i vitit 2013 në Egjipt.
Marrëdhëniet ekonomike të dy vendeve kanë qenë të larta, veçanërisht që nga shpërthimi i krizës së Gjirit në 2017, kur Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti imponuan një bllokadë ndaj Katarit dhe ndërprenë marrëdhëniet diplomatike.
Tre vjet më parë, kur qindra vdiqën në një përpjekje të dështuar për grusht shteti në Turqi, Emiri i Katarit ishte lideri i parë botëror që kontaktoi Erdoganin dhe shprehu mbështetje për administratën e tij.
Katari, ndërkohë, ka lëshuar deklarata mbështetjeje për operacionet ushtarake turke në veri të Sirisë vitet e fundit, kur Ankaraja sulmoi luftëtarët kurdë, të cilët i konsideron “terroristë”, për t’i larguar ata nga kufiri i saj jugor.
Marrëdhëniet e Turqisë me Egjiptin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, gjithashtu kanë qenë të dobëta vitet e fundit për shkak të pikëpamjeve të ndryshme për politikën e jashtme në rajon – veçanërisht kur bëhet fjalë për Sirinë, Egjiptin dhe Palestinën – zona ku Ankaraja dhe Doha po ndjekin politika të ngjashme.
Sipas Muhittin Ataman, një profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Ankarasë, disa fuqi rajonale në Lindjen e Mesme duan të izolojnë Turqinë dhe Katarin për t’i ndëshkuar ata për politikën e tyre të jashtme.
“Egjipti dhe Izraeli dhe vendet e Gjirit të udhëhequra nga Arabia Saudite, duan të izolojnë Turqinë dhe Katarin në rajon dhe ky fakt detyron të dy vendet që të përmirësojnë lidhjet e tyre dhe të forcojnë aleancën e tyre”, i tha ai Al Jazeera-s.