Të gjesh vetëm një fajtor për humbjen e Interit ndaj Juventusit është pothuajse e pamundur. Shumë mangësi në radhët e zikaltërve, të cilët, përveç pjesës së parë, merituan të dilnin të humbur nga “Allianz Stadium”. Ekip i dorëzuar, që nuk “kafshoi” dot; një gjë e rrallë, nëse konsiderojmë se Antonio Conte është në krye, trajner i mësuar për të transmetuar vendosmëri, pasion dhe “helm” te djemtë e tij. Në Torino, megjithatë, ai nuk ia doli, as edhe përmes zëvendësimeve, gjë që dëshmoi e pamjaftueshme për të evituar disfatën.
Christian Eriksen e filloi nga pankina, duke konfirmuar faktin se trajneri zikaltër ka ende dyshime të natyrës taktike mbi përshtatshmërinë e danezit në modulin 3-5-2. Për të, disa gabime teknike dhe 8 topa të humbur, duke demonstruar vuajtjet e presionit të furishëm të Juventusit, ishin fare pak në ato minuta që luajti. Juventusi e neutralizoi tërësisht futbollistin në fjalë, i cili gjithmonë e ka pasur forcën te teknika e tij. Përmirësime të vogla janë parë pas hyrjes së Gagliardini në fushë për Candreva dhe kalimi te skema 4-3-1-2, me Eriksen që do të pozicionohej si “trekuartist”.
Në atë rol, danezi kishte një liri më të madhe, tentoi edhe një goditje të fortë, por që përfundoi pak mbi portën e mbrojtur nga Szczesny. Një shenjë e ndrojtur e “zgjimit”, e cila, megjithatë, është një tregues i qartë i rolit të ardhshëm të Eriksen. Si mesfushor ai lufton jashtëzakonisht shumë për të dalë përpara, i shtrënguar në kontrollin e kundërshtarit. Përkundrazi, duket se më të mirën e jep midis linjave, i aftë për të krijuar paparashikueshmëri gjatë fazës ofensive.
Transferimi në janar (pak kohë në dispozicion) dhe kalimi në një realitet të ri, krejtësisht ndryshe nga Premier League, janë faktorë lehtësues për situatën e Eriksen. Danezi, falë potencialit për të cilin u ble, do të duhet të zvogëlojnë kohën e përshtatjes, për ta ndihmuar Interin edhe në ndeshjet më të rëndësishme, ato në të cilat klasi i tij mund të bënte ndryshimin.