Politika Koronavirusi, Basha: Sa më shumë të flasin mjekët, aq më të qetë...

Koronavirusi, Basha: Sa më shumë të flasin mjekët, aq më të qetë do të jenë qytetarët

Lulzim Basha tha se Partia Demokratike do të ndjekë hap pas hapi situatën që po zhvillohet në Shqipëri pas konfirmimit të dy rasteve të parë të personave të infektuar me koronavirus.

“Ekspertët dhe specialistët tanë të shëndetësisë do të jenë në shërbimin e çdo qytetari për çdo informacion shtesë që do të kenë. Dy javë më parë, nga kjo foltore i kam bërë thirrje qeverisë të marrë masa për t’u përgatitur për përballimin e situatës.

Fondet e mjaftueshme, mobilizimi maksimal dhe transparencë, këto janë tre komponentë të rëndësishëm politikë, për të cilët nuk duhet humbur kohë. Dua t’ju siguroj se ne do të vazhdojmë ta ndjekim situatën hap pas hapi. Ekspertët dhe specialistët tanë të shëndetësisë do të jenë në shërbimin e çdokujt, ndërkohë që grupi i krizës, i ngritur pranë PD, bashkë me ekspertët e opozitës, do të vazhdojë të monitorojë dhe të bëjë gjithçka në mundësitë, kapacitetet dhe fuqitë tona për të qenë sa më afër njerëzve dhe për të tejkaluar këtë situatë me pasoja sa më të lehta”, u shpreh Basha në një konferencë për mediat.

Duke u uruar dy të infektuarve shërim sa më të shpejtë, kreu i PD pati edhe një mesazh për personelin shëndetësor. “Shëndeti i shqiptarëve është në duart tuaja. Sytë, veshët dhe mendjet e njerëzve, si asnjëherë, janë të fokusuara te ju. Prandaj, sot të gjithë jemi në mbështetjen tuaj për të zbatuar masat dhe vendimet që ju sugjeroni dhe vendosni. Nuk duhet të ngurroni për asnjë çast të kërkoni çfarë ju nevojitet për të përmbushur misionin tuaj. Qeveritë ikin e vijnë, ata që do të mbeten jeni ju, ata që keni në dorë jetën e gjithsecilit prej nesh, jeni ju. Ne kemi një nga stafet më të specializuara mjekësore për të përballuar çdo situatë dhe ajo që duhet t’u japim juve sot, janë mjetet dhe fondet e nevojshme mjekësore për ta përballuar këtë gjendje me sukses. Të gjithë duhet të dëgjojmë zërin tuaj. Sa më shumë të flisni ju, aq më të qetë do të jenë qytetarët”, tha Basha.