Ermal Mamaqi ka vendosur që të braktisë PD dhe të mbështesë në zgjedhjet e 25 prillit Partinë Socialiste duke vlerësuar dhe kandidatët e saj. Përmes një postimi në Facebook, Mamaqi ka rrëfyer për herë të parë dhe një histori se si kandidati socialist Toni Gogu e ka ndihmuar në momentet më delikate të jetës së tij.
Është pikërisht kandidati socialist që paguante pa e treguar emrin e tij leksionet për kitarë të Ermal Mamaqit kur ky ishte i varfër, duke ia shtruar rrugën drejt artit dhe suksesit.
“Ky është Toni. Toni Gogu. E kam pasur udhëheqës për jetën në momentet më delikate, në adoleshencë. I jam mirënjohës për një pjesë të rëndësishme të edukimit tim shpirtëror. Por dhe për diçka që ai nuk e mbante mend…”, shprehet Mamaqi.
“Në 1998 isha një 16-vjeçar pa mundësi ekonomike… Ama isha shumë i lumtur që kisha blerë biçikletë, me lekët e mia. Doja shumë të mësoja kitarën por e kisha të pamundur të paguaja kursin… Një mik nga Kisha Rilindja(Adi Sipri) më jep një lajm që më hodhi përpjetë nga gëzimi. Dikush do financonte kursin tim… Por nuk e thoshte emrin. Nuk dija kë të falenderoja atëherë… ishte mister i bukur. Mbas shumë vitesh e marr vesh në një ritakim miqsh që financuesi ishte Toni”, tregon Mamaqi.
“Toni në mënyrë misterioze paguante kursin tim, dhe unë mësova kitarën. Dhe nuk e kam falenderuar ndonjëherë sepse nuk doja t’ja prishja zbulimin tim kokëfortë. Por kjo tani nuk është kthim nderi, ose shpagim. E besoj vërtetë këtë njeri të pastër dhe të mençur. Vlerat e tij janë të rralla. Po të shohësh familjen e tij kupton shumë. Ka mbetur i njëjti. Lus Zotin ta lejoni t’ju tregojë se çdi të bëjë. Unë e njoh dhe ju siguroj që nëse Parlamenti do kishte më shumë njerëz si miku im Toni, do ishte një bekim për gjithë Shqipërinë. Suksese Toni Gogu.
Shihemi në majë…tek nr 12 do kërkoj nr 11”, përfundon Mamaqi.