Aktori Ermal Mamaqi, ishte i ftuar mbrëmë në emisionin “Soiree” së bashku me një pjesë të kastit të aktorëve të filmit të tij më të ri, “I love Tropoja”.
Premiera e filmit u mbajt mbrëmjen e kaluar në Pallatin e Kongreseve, ndërsa Mamaqi foli në studio për projektin e tij të ri, duke zbuluar edhe planet për të ardhmen.
Mamaqi tregoi se tashmë ka ndërmend t’i përkushtohet karrierës si producent dhe ka vendosur të largohet nga televizioni.
Sipas aktorit, ky vendim vjen pasi imazhi i tij është konsumuar shumë në televizion, ndaj ai ka ndërmend të bëjë gjëra të reja.
Mamaqi ende nuk e di se kur mund t’i rikthehet sërish ekranit, por është i sigurt që rikthimi s’do të jetë tani afër.
“Tani shpejt jo. Kam qenë në një periudhë shumë të vështirë për të zgjedhur, moment i rëndësishëm që mora vendimin. Por kur ktheva kokën pas, pashë që kisha bërë 6 vite emisione duke përfshirë këtu edhe Digitalbin, edhe kisha realizuar 248 emisione, “6 ditë pa Ermalin” dhe “Xing me Ermalin”.
Ishte një konsum i jashtëzakonshëm i personazhit tim, por edhe e gjithçkaje çfarë ndodh atje. Jo çdo gjë ia vlen ose mbetet, kështu që vendosa t’i përkushtohem kinematografisë. Hapi im i radhës do të jetë një film tjetër. Kam disa ide, disa histori. Jam akoma në kërkim të historisë më të mirë”, ka treguar ai.