Në një intervistë mëngjesin e sotëm në “Wake Up”, Ermal Mamaqi u shpreh se filmi i tij i dytë, “I love Tropoja” ka kushtuar pothuajse sa trefishi i “Dy gisht mjaltë”.
Mamaqi, producent dhe aktor në “I love Tropoja”, theksoi se “kostot janë relativisht të larta” për një film të pavarur, pra që nuk mbështetet nga Qendra Shqiptare e Kinematografisë.
“Kostot janë relativisht të larta dhe mendoj që është bërë një investim i madh për një film të këtij zhanri, pra një film të pavarur, që nuk ka mbështetjen e Qendrës apo shtetit, por varet vetëm nga financat e gjeneruara nga mbështetësit e filmit, që janë sponsorat.”
Deri tani, filmi i dytë i producentit ka kushtuar më shumë se 700,000 euro.
“Filmi ka kushtuar mbi 700,000 mijë euro deri tani, sepse është një projekt që ka një ekip nga Kosova dhe Turqia dhe aparaturat dhe teknologjia është e nivelit të fundit. Mund të them se vetëm lentet që janë përdorur në këtë film janë të njëjtat lente që janë përdorur për ‘Fast & Furious 8’.”
Ndër të tjera, Mamaqi shtoi se filmi i tij i dytë është edhe një përpjekje për të promovuar Tropojën dhe vendet piktoreske të zonës, si edhe për të dhënë një tjetër imazh të tropojanëve, ndryshe nga portretizimi si “Marco from Tropoja” në filmin “Taken”.