Ka degjeneruar deri në përplasje fizike debati mes ish-deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji dhe deputetit të LSI-së, Ralf Gjoni pas emisionit “Open” në Top Channel.
Gjatë emisionit ata patën një debat të ashpër për çështjen e mandateve.
Mësohet se në përfundim të emisionit, Gjoni e ka ndjekur nëpër shkallë Salianjin duke i kërkuar llogari për faktin që i përmendi familjen gjatë debatit LIVE.
“Ore kujt i përmend familjen ti”, mësohet të ketë bërtitur Gjoni dhe më pas Salianji e ka goditur.
Në këtë situatë ka ndërhyrë stafi i televizionit “Top Channel” që ata të ndahen.
Gjithçka nisi pasi ish-deputeti i PD-së, Salianji u shpreh në emision se deputetët e “opozitës së re”, nuk i hyjnë në punë as dreqit, por janë futur në parlament për të marrë një rrogë . Nga ana tjetër Gjoni është përgjigjur se mënyra se si ish-deputetët duan t’i zgjidhin gjërat është me dhunë, duke kujtuar këtu edhe rastin që vetë atij i hodhën bojë, shumë pranë banesës së tij.
“Mos guxo më të ma kujtosh më atë moment. Unë kam familje, turp të kesh! Nuk bëhet fjalë për bojën, por është agresion fizik ndaj familjes sime nga njerëz që zënë pritë në hyrjen e banesës sime. Mos guxo më Salianji të më përdorësh atë episod kriminal për të më kërcënuar”, tha Gjoni.
“Unë kam turp që dal në të njëjtin ekran me ty, por çfarë të bëj! Ti je budalla! Ti je aty për të marrë një rrogë dhe kaq. Mos ma trash zërin mua se e ke të hollë”, tha Salianji.